Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur 274 aktakuza kundër 316 personave për rastet e dhunës në familje më 2021

Foto: Koha / Ilustrim

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren nga 1 janari deri më 30 nëntor të këtij viti ka pranuar 282 kallëzime penale me 317 persona në Departamentin e Përgjithshëm. Në Departamentin për të Mitur, janë pranuar 4 kallëzime me 4 persona, ndërsa, në Departamentin e Krimeve të Rënda janë pranuar 5 kallëzime penale me 7 persona. Nga të tri departamentet gjatë kësaj periudhe raportuese janë kryer 301 lëndë me 357 persona, duke përfshirë edhe lëndët e trashëguara nga viti paraprak.

Nga të gjitha rastet e trajtuara, Prokuroria Themelore në Prizren, për rastet e dhunës në familje ka ngritur 274 aktakuza kundër 316 personave, ndërsa, për 15 kallëzime penale kundër 15 personave është kërkuar masa e trajtimit psikiatrik.

Në të gjitha veprat penale, të cilësuara si dhunë në familje, shumica e viktimave kanë qenë femra përkatësisht 219 kallëzime me 230 persona të pranuara gjatë këtij viti, të cilat kanë përjetuar dhunë psikike dhe fizike, madje në shumë raste, nga kryerësit janë shkelur edhe urdhërat mbrojtës, me të cilët janë parashikuar masat mbrojtëse ndaj viktimave, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria përmes komunikatës ka thënë se ndaj të pandehurve janë paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.