Arbëri

Prokuroria e Prizrenit gjatë vitit 2021 ka trajtuar 301 raste të dhunës në familje

Institucionet e shërbimet që merren me trajtimin e rasteve të dhunës në familje në rajonin e Prizrenit kanë vlerësuar se numri i rasteve të kësaj natyre ka shënuar rritje gjatë këtij viti krahasuar me vitin e shkuar. Ndërsa, Prokuroria Themelore e Prizrenit gjatë këtij viti ka trajtuar 301 raste të dhunës në familje. Këto konstatime dhe të dhëna janë shpalosur në kuadër të takimit të rregullt të grupit koordinues me akterët të cilët merren me trajtimin e rasteve dhe veprave penale të dhunës në familje, brenda kompetencës së kësaj prokurorie.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Prizrenit, në këtë takim të thirrur nga prokurorja dhe koordinatorja për rastet e dhunës në familje, Mehreme Hoxha, dhe mbështetur nga OSBE-ja, kanë marrë pjesë përfaqësues nga Policia e Kosovës, nga Qendra për Punë Sociale, Qendra e Shëndetit Mendor, mbrojtës të viktimave, përfaqësues nga Zyra për Ndihmë Juridike Falas si dhe përfaqësues nga Njësia për të Drejtat e Njeriut të rajonit të Prizrenit.

Të gjithë pjesëmarrësit në takim theksuan se gjatë vitit 2021 ka pasur rritje të rasteve të dhunës në familje, në krahasim me vitin 2020.

Ndërsa prokurorja Hoxha ka bërë të ditur se deri me 30 nëntor 2021 në Prokurorinë Themelore në Prizren, sa i përket lëndëve të dhunës në familje, në Departamentin e Përgjithshëm janë pranuar 282 kallëzime penale me 317 persona, në Departamentin për të Mitur, janë pranuar 4 kallëzime me 4 persona, ndërsa, në Departamentin e Krimeve të Rënda janë pranuar 5 kallëzime penale me 7 persona. “Nga të tri departamentet gjatë kësaj periudhe raportuese janë kryer 301 lëndë me 357 persona, duke përfshirë edhe lëndët e trashëguara nga viti paraprak”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

U kërkua që hartimi i kallëzimeve penale të bëhet në mënyrë sa më profesionale dhe të vlerësohet rrezikshmëria e viktimës, në mënyrë që të ndërmerren masa adekuate për mbrojtje të viktimës.