Gjoba në vlerë prej 1,000 euro janë shqiptuar ndaj disa kompanive që po kryenin punime me kamionë për bartjen e dheut në Prishtinë, pas konstatimit të shkeljeve që rrezikonin sigurinë në trafik.
Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka njoftuar se gjatë kontrolleve në terren, në disa segmente rrugore janë identifikuar sasi të mëdha të baltës, të cilat paraqesin rrezik serioz për qarkullimin e automjeteve, veçanërisht në kushte të rënda atmosferike me mjegull dhe ngrica.
Sipas Policisë, ndaj personave juridikë janë ndërmarrë masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndërsa kompanitë janë obliguar që menjëherë të bëjnë pastrimin e rrugëve.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë me veprime të pandërprera gjatë sezonit dimëror dhe se do të reagojë ndaj atyre që rrezikojnë sigurinë e trafikut dhe jetën e qytetarëve.