Hetuesit e Sektorit të Hetimeve Rajonale në Ferizaj, gjatë ditës së sotme, në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në po këtë komunë, kanë kryer një kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të personit M.ZH., 31 vjeç, shtetas i Kosovës, në Kaçanik.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar disa armë të kalibrave të ndryshëm dhe fishekë.
“Një pistoletë e tipit Glock 17 9x19 me numër serik AKG577 me një karikatorë dhe 17 copë fishekë të kalibrit 9mm, për të cilën nuk posedon leje. Një armë e gjatë e prodhimit Mossberg, model Patriot made in USA, me nr. Serik: MPR 108642 me dylbi, një paketim me 9 copë fishekë me mbishkrim 30-06 Sprg. me leje valide. Nëntë paketime me fishekë (180 copë) me mbishkrim 30-06 Sprg. Një pistoletë SIG SAUER P226 me numër serik U135891 me një karikatorë me 5 copë fishekë për të cilën nuk posedon leje. Një Pistoletë Beretta, made in USA BUPICO me numër serik PC0189943 me dy karikatorë dhe 22 copë fishekë të kalibrit 9mm, me leje valide”, ka njoftuar Policia.
Ndërkaq, gjatë kontrollit në shtëpinë e njëjtë janë konfiskuar edhe disa pajisje elektronike si telefona, IPAD, DVR dhe të tjera.
Pas intevistimit të të dyshuarit në prezencën e avokatit mbrojtës, me urdhër të Prokurorit i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.