Policia e Kosovës ka njoftuar se të enjten mbrëma në Kramovik të Rahovecit, në një lokal nate janë hasur rreth 50 persona dhe stafi që punonte në lokal.
Pronari i lokalit është arrestuar, për shkelje të masave kufizuese të vendosura nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19. Ai është dërguar në mbajtje.
Me vendimin e Qeverisë së Kosovës gjitha lokalet apo restorantet do të mbyllen nga ora 21:00 deri në orën 5 të mëngjesit.
Ky nuk ka qenë rasti i vetëm në 24 orët e fundit ku janë ndaluar persona shkaku i thyerjeve të masave kufizuese. Në Prizren është njoftuar për ndalimin e dhjetë personave që kanë shkelur masat kufizuese.
Prizreni është një nga katër komunat në Kosovë ku është kufizuar lëvizja e qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 5 të mëngjesit. Në këtë mes është edhe Prishtina, Ferizaj e Vushtrria.