Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

5 të arrestuar në Ferizaj, shkelën masat anti-COVID dhe penguan zyrtarët policorë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në orët e para të mëngjesit të së hënës ka pranuar informacione se në një lokal nate në fshatin Gërlic të Ferizajt po punohet në kundërshtim me masat anti-COVID.

Forcat policore së bashku me inspektorët e AUV-it kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe lokali ishte i hapur dhe brenda kishte disa persona.

Gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, policët dhe inspektorët kanë hasur në rezistencë, duke marrë kërcënime nga një person dhe duke u penguar nga tjerët.

Policia i ka arrestuar pesë persona që kanë penguar në kryerjen e detyrave, ndërsa 15 personave që ishin në lokal u janë shqiptuar gjoba për mosrespektim të orarit të lëvizjes.

H.S. 52-vjeçar i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orë, ndërsa katër persona tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

“Ky rast iu ka referuar Sektorit Rajonal të Hetimeve për procedura të mëtejme hetimore”, thuhet nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Ferizajt.