Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar për grabitje të armatosur në një pompë karburanti në Kamenicë.
I dyshuari para dy ditësh, nën kërcënimin e pushkës automatike, së bashku me një person tjetër kishte grabitur një pompë derivatesh në qytetin e Kamenicës.
Me aktvendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndalur për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër D. K. gjendet në arrati dhe është në kërkim të policisë.
“Më 22 Qershor 2021 rreth orës 05:40 , një punëtor i një Pompe të derivateve në Kamenicë lajmëron Policinë e Kosovës (PK) se është grabitur nga dy persona të maskuar, njëri nga ta i armatosur me pushkë automatike. Sipas ankuesit, tij nën kërcënimin e armës i kanë grabitur para nga arka, ku ai punon. Policia e Kosovës (PK), njësitet e hetimeve rajonale në Gjilan, në vazhdën e veprimeve hetimore përmes rrugëve operative kanë siguruar informacione të besueshme në bazë të të cilave është arrestuar i dyshuari L. L. (2000)”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, si provë material janë gjet dhe sekuestruar arma automatike AK-47, e cila dyshohet se është përdorur në rastin e "Grabitjes", dy duksa dhe një palë pantallona farmerka.
