Kronikë

Arrestohen katër të dyshuar për grabitje në një pompë derivatesh në Pejë

Policia e Kosoves

Policia në Pejë ka arrestuar katër persona të dyshuar për një grabitje të ndodhur më 21 maj, në një pompë derivatesh në rrugën “KFOR” në këtë qytet.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 23:36, tre persona të armatosur kanë zbritur nga një veturë e tipit “Golf” dhe kanë kërcënuar punëtorin e pikës së karburantit, duke i kërkuar paratë e arkës. Viktima u detyrua t’u dorëzonte rreth 900 euro - para se të dyshuarit të largoheshin nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Pas një pune intensive hetimore, më 24 maj, policia arriti të identifikojë dhe të arrestojë katër persona të përfshirë në këtë rast. Gjatë bastisjes janë sekuestruar vetura e përdorur në grabitje, një pushkë gjysmë automatike, 570 euro para të gatshme, si dhe dëshmi të tjera që lidhen me rastin.

Të dyshuarit janë intervistuar dhe janë ndaluar për 48 orë nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Grabitje e armatosur”.