Një person është plagosur me armë zjarri gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës në rrugën regjionale Sarosh–Rahovec.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 02:20, kur viktima, e cila ishte duke udhëtuar me veturë, është ndalur pasi një automjet i kishte bërë shenjë me drita.
Pas ndalimit, një person dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, duke e plagosur në pjesën e pasme të kokës. Më pas, i dyshuari është afruar dhe e ka goditur disa herë viktimën me kondakun e armës.
Sipas njoftimit, gjatë përleshjes viktima ka arritur t’ia marrë armën të dyshuarit dhe është larguar nga vendi i ngjarjes për të kërkuar ndihmë mjekësore.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë sekuestruar një pistoletë pa municion. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor.
Për rastin është njoftuar prokurori, ndërsa hetimet po zhvillohen nga njësitet kompetente të Policisë së Kosovës.