Një shtetas i Kosovës është plagosur në oborrin e një kazinoje në fshatin Breznicë të Bujanocit, pranë territorit të Kosovës, njoftoi Policia e Kosovës të martën.
Në njoftim thuhet se për rastin janë arrestuar nëntë persona të dyshuar, brenda territorit të Kosovës.
I plagosuri është dërguar në Spitalin Rajonal të Gjilanit nga një familjar dhe gjendet jashtë rrezikut për jetë.
“Viktima është trajtuar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Gjilanit dhe sipas mjekut kujdestar është jashtë rrezikut për jetë. Njësiti Rajonal i Hetimeve në koordinim të plotë me prokurorin e Shtetit, janë duke i hetuar rrethanat se si ka ndodhur rasti, rast i cili sipas prokurorit është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’”, thuhet në njoftimin policor.
Vite më parë, autoritetet kosovare kanë ndërmarrë aksion për ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë të paligjshme të lojërave të fatit në Kamenicë. Kazinotë dhe lojërat e fatit janë të ndaluara me ligj nga Qeveria e Kosovës.