Kronikë

Pezullohet polici pas përfshirjes në dhunën ndaj kamerierit në Vlorë

Pezullohet polici pas përfshirjes në dhunën ndaj kamerierit në Vlorë

Një polic kufitar është pezulluar nga detyra në Vlorë pasi në një video që ka bërë bujë shihet bashkë me një person, duke sulmuar fizikisht dhe verbalisht një kamerier të ri gjatë orarit të punës, ka njoftuar Policia e Shtetit. Më pas dyshohet se pronari i restorantit ku punon kamerieri e ka rrahur policin e përfshirë në rast. Sipas njoftimit, polici i pezulluar është aktualisht në spital.

Sipas pamjeve që kanë shkuar virale në rrjetet sociale, A.I., ish-shef i qarkullimit rrugor të Vlorës dhe aktualisht jashtë detyrës, së bashku me L.B.,, ushtruan dhunë fizike dhe verbale ndaj kamerierit.

Siç shihet në video, fillimisht A.I. ndërhyri me tone kërcënuese dhe kontakt fizik ndaj të riut, ndërsa më pas dhuna përshkallëzoi me disa goditje nga ana e L.B. 

E në njoftimin e Policisë thuhet se më pas në incident janë përfshirë edhe V.B., 53-vjeçar, pronar i restorantit dhe E.M.

Në disa prononcime për mediat e ndryshme atje, kamerieri ka rrëfyer se është 18-vjeçar dhe se keqkuptimi ka ndodhur pse ka çuar një shishe ujë më shumë.

VIDEO:

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Pezullohet nga detyra një oficer policie i përfshirë në një konflikt fizik jashtë shërbimit, në qytetin e Vlorës

Pas përfshirjes jashtë orarit të shërbimit në një konflikt fizik, në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rrethanave, të oficerit të Policisë Kufitare Dibër.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ndaj Nënkomisar A. I., me detyrë Oficer Policie në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, procedurën disiplinore të rëndë, bazuar në Ligjin nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, që parashikon masa për:

-raste të sjelljeve që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut tek Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës;

-kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se Nënkomisar A. I., jashtë shërbimit dhe në shoqërinë e shtetasit L. B., 57 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, është konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasin A. B., 18 vjeç. Pas përshkallëzimit të konfliktit, janë përfshirë edhe shtetasit V. B., 53 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “Pavarësia 2”, dhe E. M.

Aktualisht, Nënkomisar A. I. ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë.

Për këtë rast vijojnë veprimet procedurale nga oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur të reagojë me vendosmëri ndaj çdo rasti që cenon besimin e qytetarëve. Ajo fton qytetarët të denoncojnë çdo veprim të paligjshëm apo sjellje të papërshtatshme nga punonjësit e saj, duke garantuar trajtim të paanshëm dhe konform ligjit.