Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Policia largon nga puna një toger, thotë se ndaj tij ishin iniciuar 15 raste për shkelje disiplinore

Zyrtare policore

Një toger policor është larguar nga puna të enjten, e Policia e Kosovës ka dhënë arsyet për largimin e tij. Sipas Policisë, A.V., me detyrë në Pejë, është larguar për shkak të shkeljeve disiplinore. 

Në sqarim thuhet se ndaj këtij zyrtari, që nga inkuadrimi në Polici e deri në largimin nga detyra, janë iniciuar 15 raste, ku prej tyre janë trajtuar 13 në nivel qendror dhe 2 në nivel rajonal.

“Nga 15 raste të iniciuara, 3 prej tyre kanë pasur të bëjë me shkrime dhe komente në rrjete sociale, ku në total janë shqiptuar 6 masa disiplinore ,duke përfshirë edhe rastin e fundit në gusht 2026, Ndërprerje e Marrëdhënies së Punës me vendim të PK-së”, thuhet në arsyetimin e PK-së.

Tutje PK sqaron se në 3 rastet e trajtuara që kanë të bëjnë me rrjetet sociale, janë shqiptuar masat: Ndalesë në pagë 30% për 2 muaj, e iniciuar në vitin 2016 dhe shqiptuar masa po ashtu në vitin 2016; Ndalesë në pagë 30% për 6 muaj, e iniciuar në vitin 2025 dhe shqiptuar masa në vitin 2026; si dhe e fundit “Ndërprerje e marrëdhënies së punës", e iniciuar në vitin 2026 dhe shqiptuar masa po ashtu në vitin 2026.

Policia ka theksuar se togeri A.V. ka dëmtuar imazhin e saj duke shpërndarë përmbajtje nëpër rrjete sociale. 

“Neni 20. Sjellja e rëndë diskredituese, paragrafi 1, pika 1.14. Sillet në mënyrë të tillë duke dëmtuar imazhin e Policisë së Kosovës gjatë kryerjes së detyrës apo jashtë saj; Neni 21 Mosbindja e rëndë, paragrafi 1, nen. par. 1.13. Me veprim apo mosveprim, nuk zbaton apo nënvlerëson urdhrat apo udhëzimet nga autoriteti i nivelit qendror; dhe Neni 24 Shkelja e rëndë e autorizimit paragrafi 1, nen. para. 1.17 Publikon, shfaq, shpërndan apo komenton postime, fotografi, video dhe incizime që dëmtojnë imazhin e Policisë”, janë nenet që Policia thotë se i ka shkelur zyrtari i larguar nga puna.