Kronikë

Paraburgim për logopedin që dyshohet se keqtrajtoi 3-vjeçaren

Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar masën e paraburgimit logopedit Iljasa Fazliu, me dyshimin se ka keqtrajtuar një fëmijë të moshës 3-vjeçare.

Sipas Gjykatës, i pandehuri ndaj vajzës ka përdorur gjuhë ofenduese dhe degraduese, “duke mos iu përmbajtur parimeve etike dhe profesionale gjatë ushtrimit të kujdesit shëndetësor”.

Fëmijës, siç thuhet në njoftim, i është përkeqësuar gjenda shëndetësore pas rastit. Ndërsa, Gjykata Themelore në Gjilan iu ka caktuar masën e paraburgimit edhe të pandehurve I.SH. dhe R.V., që dyshohen se kanë sulmuar logopedin.

“Të pandehurit I. Sh. dhe R. V., më datë 26 nëntor 2022, rreth orës 12.52 minuta, në lokalin që ndodhet në rrugën ‘Mulla Idrizi’ në Gjilan, në bashkëkryerje dhe me përdorimin e dhunës, për shkak të trajtimit të pandërgjegjshëm të fëmijës me autizëm, me dashje i kanë shkaktuar lëndime trupore të pandehurit, tani të dëmtuarit I. F. Ashtu që fillimisht i pandehuri I. Sh., i revoltuar nga sjellja e mjekut ndaj fëmijës, hyn dhe i drejtohet të dëmtuarit duke e fyer me fjalë të ndryshme ofenduese, e më pas e sulmon duke e goditur me grusht në fytyrë dhe në atë moment ndërhyn edhe i pandehuri R. V., duke e kapur të dëmtuarin për krahu duke e mbajtur nën kontroll, e më pas duke e tërhequr zvarrë për të nxjerrë jashtë lokalit. Gjatë kësaj tërheqjeje, i dëmtuari rrëzohet për tokë dhe të dy të pandehurit e godasin me grushte dhe shqelma në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet në njoftim.