Kronikë

Një muaj paraburgim prizrenasit që ushtroi dhunë fizike e psikike ndaj gruas

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren, i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit A.L., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, dhunë në familje.

Gjyqtarja e procedurës paraprake– Vjollca Buzhala, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji, ashtu që kjo masë të pandehurit do t’i llogaritet prej datës 30.11.2020 deri me datën 29.12.2020.

Gjykata thotë se i pandehuri ka shkaktuar dhunë në familje, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë rrjedh dyshimi i bazuar se i pandehuri A.L., me datë 30.11.2020 rreth orës 18:40, në shtëpinë e përbashkët familjare, me qëllim të cenimit të dinjitetit brenda një marrëdhënie familjare, i ka shkaktuar dhunë psikologjike të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, deri sa e dëmtuara ishte e shtrirë për të pushuar për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

“I pandehuri A.L. e fyen dhe e poshtëron të dëmtuarën dhe me forcë tenton ta zgjojë nga gjumi për t’i përgatitur kafe. E kap për krahu dhe i drejtohet me fjalët “nuk ki qare pa u çu, ec kur të thamë unë”. - Me të cilat veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar shqetësim të madh emocional dhe ndjenjë të frikës dhe pasigurisë”, thuhet në njoftim.