Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Një muaj paraburgim personit që dyshohet se dhunoi një të mitur në Prizren

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar një muaj paraburgim ndaj të pandehurit N.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “dhunimi”. Sipas njoftimit, masa do t’i llogaritet nga 2 shkurti deri më 4 mars.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit N.K., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së Paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se ditën kritike i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale të dhunimit ndaj të dëmtuarës – e moshës së mitur.

“Fillimisht në orët e pasdites dhe sërish në orët e vona të mbrëmjes, brenda të njëjtës ditë, derisa viktima - e mitura, gjendej e vetme në shtëpi, i pandehuri e shfrytëzon momentin e volitshëm futet në shtëpinë e saj dhe paraprakisht e grushton në fytyrë, e detyron të zhvishet dhe pa pëlqimin e saj e detyron të kryej marrëdhënie seksuale”, thuhet në njoftim.

Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse hetimet në këtë çështje posa kanë filluar, në vijim të procedurës duhet të dëgjohet, i pandehuri, dëshmitarët, po ashtu në këtë çështje duhet të mblidhen edhe provat të tjera, andaj është konstatimi i gjykatës se caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm, dhe i domosdoshëm për rrjedhën normale të kësaj procedure penale.