Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për dhunimin e të miturës në Ferizaj

paraburgim

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, duke caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit E.M, i dyshuar për dhunimin seksual të një vajze të mitur.

Sipas gjykatës, i dyshuari E.M për veprën penale “Dhunim” është ndaluar më 13 maj 2023, ndërsa më 15 maj 2023 gjyqtari i procedurës paraprake, Sahit Krasniqi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji, e cila do të zgjas deri me datë 12 qershor.

Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale ndaj të miturës e cila është nën moshën 14-vjeçare e që në kohën e kryerjes së aktit seksual ka qenë e moshës 12-vjeçare, rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, karakteristikat personale të të pandehurit ku sipas data bazës së policisë, e cila është pjesë përbërëse e shkresave të lëndës, i njëjti është i dyshuar edhe për vepra tjera penale.

Andaj, gjyqtari i procedurës paraprake pasi që i ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës dhe i ka dëgjuar pretendimet e palëve, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit është e bazuar.

Ndryshe, Policia të dielën përmes raportit 24-orësh njoftoi se një vajzë e mitur është dhunuar seksualisht dhe se rastin e ka paraqitur tek organet e drejtësisë. /BetimipërDrejtësi