Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Një muaj paraburgim për Gjestin

Gjesti

Një muaj paraburgim ia ka caktuar Gjykata Themelore në Prishtinë këngëtarit Besart Kelmendit, i njohur si Gjesti. 

Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “ Kanosja”, “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë si dhe veprën penale” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Kanosja, Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë si dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjyqtarja e procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës gjeti se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit është e bazuar.

“Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate dhe konstatoi se ekzistojnë rrethana që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes, rreziku i ndikimit në dëshmitarë dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale, andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.