Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Arianit Sllamnikut, i dyshuar për kryerjen e veprimtarive të kundërligjshme mjekësore.
Sipas njoftimit, nga një periudhë e papërcaktuar kohore e deri më 20 janar 2026, në rrugën “17 Shkurti” në Gjilan, në lokalin e regjistruar me emrin “Consulence”, Sllamniku dyshohet se ka ushtruar veprimtari të kundërligjshme mjekësore, pa kualifikim profesional, pa licencë dhe pa autorizime ligjore.
Prokuroria bën të ditur se i pandehuri, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, ka kryer trajtime dhe vizita mjekësore këshilluese, duke pretenduar se ofronte shërime për autizëm. Ai dyshohet se ka përshkruar dhe rekomanduar terapi të ndryshme të paverifikuara dhe të pakonfirmuara shkencërisht, ndonëse nuk posedonte njohuri apo kualifikime për këtë fushë mjekësore.
Gjatë zbatimit të urdhërkontrollit, në lokalin “Consulence” është hasur edhe një dëshmitar, i cili kishte shkuar për konsultim lidhur me trajtimin e autizmit. Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar medikamente të ndryshme mjekësore.
Me këto veprime, Sllamniku dyshohet se ka kryer veprën penale “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”.