Policia në Gjilan ka njoftuar se në koordinim me Prokurorinë e Shtetit po merret me qytetarin nga Gjilani, Arianit Sllamniku. Ky i fundit, dyshohet se iu ka përshkruar ilaçe në vlerë mijëra euro fëmijëve të prekur nga autizmi, me pretendimin se i shëron.
“Mund të ju konfirmojmë se në lidhje me rastin për të cilën keni pyet, ky rast është duke u trajtuar nga ana e policisë së Kosovës në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit dhe institucionet e tjera përkatëse”, ka thënë Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit në një përgjigje për KOHËN.
Edhe Ministria e Shëndetësisë, të hënën ka reaguar ndaj këtij rasti, me ç‘rast iu ka bërë thirrje qytetarëve që t’iu besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht dhe të mos bien pre e mashtrimeve.
“Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur me shqetësim raportimet në media dhe rrjete sociale lidhur me pretendimet se një individ dyshohet se ka ofruar ilaçe, duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë”, thuhet në reagimin e MSH-së.