Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Një muaj paraburgim ndaj pesë të dyshuarve për vrasjen në Klinë

paraburgim

Gjykata e Pejës e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë së Pejës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të dyshuarve për vrasjen që ka ndodhur në mbrëmjen e 28 prillit në Klinë, ka konfirmuar avokati Gëzim Kollqaku, njëri nga mbrojtësit e të dyshuarve.

Kollqaku ka thënë se ndaj pesë të dyshuarve Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, raportoi të dielën “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, me 28 prill Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar se një person ka vdekur, dy të tjerë janë plagosur derisa janë ndaluar pesë persona të dyshuar për gjuajtje me armë në Volljakë të Klinës.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi ka konfirmuar se pesë persona janë ndaluar për këtë rast.

Ndërkohë, të enjten, pas vrasje në Volljak të Klinës, Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Pejës, ka treguar se ngjarja ka ndodhur para orës 21:00.

“Në orën 20:43, policia është njoftuar se ka të shtëna me armë zjarri dhe dyshohet për të plagosur. Me të arritur në vendin e ngjarjes, është konstatuar se dy persona janë të lënduar. Janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare, pastaj janë dërguar në emergjencën e Pejës. Pas pak kohe, mjeku kujdestar e ka konfirmuar vdekjen e njërës viktimë”, ka thënë Gashi.