Gjykata Themelore në Pejë e ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për pesë personat e dyshuar për vrasjen e 23-vjeçarit, Fazli Hoxha, në Volljakë të Klinës. Në kërkesën e Prokurorisë për paraburgim, përveç arsyeve se pse duhet t’u caktohet kjo masë, janë dhënë edhe detajet e rastit, ku ndër të tjera, është thënë se sulmi kishte ndodhur në prani të fëmijëve e grave të viktimave
Gjykata Themelore në Pejë u ka dhënë nga 30 ditë paraburgim pesë të dyshuarve për vrasjen e 23-vjeçarit, Fazli Hoxha, dhe plagosjes së dy vëllezërve të tij, Mahmut e Albert Hoxha. Caktimin e masës së paraburgimit e kanë konfirmuar avokatët e të dyshuarve, por jo edhe Gjykata. Në kërkesën e Prokurorisë së Pejës për masën e paraburgimit, drejtuar Gjykatës, N.G. dyshohet për vrasje të rëndë, derisa tre vëllezërit e tij, A.G., A.G dhe B.G., si dhe xhaxhai i tyre, B.G., dyshohen për vrasje në tentativë dhe bashkëkryerje të veprës penale.
Prokuroria, në arsyetimin e kërkesës për caktimin e kësaj mase, ka shkruar se ekziston rreziku i arratisjes së të dyshuarve apo i përsëritjes së veprës penale, si dhe asgjësimi, fshehja apo ndryshimi i provave. Aty thuhet se meqë dëshmitarët ende nuk janë marrë në pyetje, lënia në liri e të dyshuarve mund t’u lërë mundësi që këta të ndikojnë në dëshmitarët për t’i shtyrë që t’i ndryshojnë deklaratat në favor të tyre.
“Po që se të pandehurit lihen të mbrohen në liri, ekziston rreziku se të njëjtit do të arratisen duke marrë parasysh peshën e veprës penale nga neni 173 i Kodit Penal, për të cilin parashihet minimumi i dënimit jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm”, është thënë në arsyetimin e Gjykatës.
Në mesin e arsyeve janë dhënë edhe detajet se si kishte ndodhur rasti, duke theksuar se sulmi ishte kryer në praninë e fëmijëve dhe grave të viktimave. Sipas Prokurorisë, në shenjë hakmarrjeje, për shkak të një problemi paraprak që kishin pasur, Gashët, pasi kishin marrë vesh lokacionin e Hoxhajve, me armë dhe mjete të forta kishin shkuar te restoranti “Villa Park” në Volljak dhe në parkingun e tij i kanë pritur viktimat derisa kishin përfunduar iftarin.
“Me të dalë nga restoranti në fjalë me fëmijë dhe gra, të pandehurit i sulmojnë fizikisht me mjete të forta, lopata etj., duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore, me ç’rast i pandehuri, N.G, shtie me armë zjarri në viktimën, Fazli Hoxha, duke e privuar nga jeta”, thuhet tutje në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.
Pas, Fazli Hoxhës, N.G., sipas Prokurorisë, kishte shtënë edhe ndaj vëllait të tij, Mahmuti, duke i shkaktuar plagë në këmbën e majtë poshtë gjurit, ndërkaq vëllait tjetër, Alberti, i kanë shkaktuar lëndime trupore në pjesën e kokës dhe të trupit, duke e goditur me lopatë.
Prokuroria gjatë së premtes ka bërë të ditur se ka kryer një bastisje ku është gjetur e arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale. Ngjarja ka ndodhur më 28 prill. Viktima ishte nga fshati Gollubovc i Malishevës, ndërsa të dyshuarit nga fshati Sfercë i Klinës. Deri te vrasja dyshohet se ka çuar një sherr, që kohë më parë dy familjet e kishin pasur në Itali.