Kronikë

Një i vrarë dhe një i plagosur në Zllakuqan të Lipjanit, arrestohen dy persona

Policia e Kosovës

Foto: Ilustrim

Një 57-vjeçar është vrarë të mërkurën në Zllakuqan të Lipjanit dhe një tjetër është plagosur. Për rastin janë arrestuar dy të dyshuar. 

Lajmin e ka konfirmuar për “KOHËN“, Flora Ahmeti, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, e cila ka theksuar se dy të dyshuar janë arrestuar.

Ahmeti ka thënë se Policia është informuar për rastin rreth orës 13:00. 

Bazuar në dyshimet e para thuhet se pas një mosmarrëveshje mes disa personave ka ardhur deri te plagosja e rëndë me thikë e dy personave. Njëri prej tyre ka marrë lëndime fatale, ndërsa tjetri është dërguar për trajtim në QKMF në Magure. 

“Rreth orës 13:00, policia ka marrë informatën për një vrasje  që ka ndodhë  në fshatin Zllakuqan të Lipjanit.  Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.  Bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se një mosmarrëveshje mes disa personave ka rezultuar me plagosjen e  rëndë të dy personave, dyshohet me mjet të mprehtë thikë.  Njëri nga personat e lënduar ka vdekur, ndërsa i lënduari tjetër është dërguar për tretman mjekësor.  Vdekjen e viktimës mashkull, rreth 57 vjeç, e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKMF në Magure. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit, ndërkohë që dy persona të dyshuar janë arrestuar”, ka njoftuar Ahmeti.

Ajo ka shtuar se aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit. 


15-vjeçari i plagosur në Lipjan në gjendje stabile

I plagosuri nga arma e zjarrit në Zllakuqan të Lipjanit është në gjendje stabile, ka njoftuar Drejtori i Emergjencës, Naser Syla.

Ai bëri të ditur për KOHËN se i plagosuri është dërguar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale për trajtim të mëtutjeshëm. 

“Është dërguar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale për trajtim të mëtutjeshëm. Gjendja e tij është stabile momentalisht”, ka thënë Syla.

Ai bëri të ditur se personi i lënduar është i lindur në vitin 2009. 

Një 57-vjeçar është vrarë të mërkurën në Zllakuqan të Lipjanit dhe një tjetër është plagosur. Për rastin janë arrestuar dy të dyshuar.