Kronikë

Një i lënduar nga shpërthimi i bombolës së oksigjenit në Kaçanik, dëme të mëdha në fabrikë

Shiriti  i Policisë

Foto: Ilustrim

Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e shpërthimit të një bombole të oksigjenit në magjistralen Kaçanik – Ferizaj, konkretisht në fshatin Nikaj.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka thënë për KOHËN se personi i lënduar, pas ndihmës së parë në Kaçanik, është dërguar për trajtim në QKUK.

Rasti ka ndodhur në një fabrikë për mbushje të bombolave të oksigjenit.

“Sot rreth orës 11:40, jemi njoftuar se në afërsi të një pompës së derivateve në rrugën magjistrale, Kaçanik – Ferizaj, në fshatin Nikaj ka ndodhur një eksplodim, dyshohet bombol e oksigjenit. Janë njoftuar edhe shërbimet emergjente mjekësore dhe njësia e zjarrfikësve, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në këtë rast një person është i lënduar, ndërsa janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në fabrikën për mbushje të bombolave të oksigjenit”, ka thënë ai. 

Për momentin, njësitet policore dhe ekipet relevante ndodhen në vendngjarje dhe po ndërmarrin veprimet hetimore dhe të sigurisë për ndriçimin e plotë të rastit. 

Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, ka bërë të ditur tutje ai.