(21:50) - Ndërkohë, në njoftimin nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, bëhet me dije se dy personat e arrestuar janë me inicialet R.I. dhe B.G.
Prokuroria Speciale njofton se personi i parë i arrestuar është Gjyqtar i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Dega në Skenderaj, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”.
Ndërkaq, personi i dytë i arrestuar është Polic i Kosovës, i cili dyshohet për veprën penale “Marrje të ryshfetit”.
Prokuroria Speciale për dy të arrestuarit do të bëjë kërkesë për caktimin e paraburgimit.
Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media ka bërë me dije se ka arrestuar një gjyqtar dhe një zyrtar policor të dyshuar për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje ryshfeti” dhe “ushtrim i ndikimit”.
Edhe
Arrestohet një gjyqtar, dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), njofton se pas pesë muajve të zhvillimit të hetimeve profesionale dhe aplikimit të masave të përcaktuara sipas KPPRKS-së, nga hetuesit rajonalë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prishtinë ka siguruar informacione relevante që kanë pasqyruar abuzimin e funksioneve gjyqësore, gjegjësisht veprime që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit.
“Gjatë aplikimit të masave dhe veprimeve hetimore janë siguruar dëshmi të bazuara për inkriminimin e dy zyrtarëve; një gjyqtari në Departamentin Penal të Gjykatës Themelore në Skenderaj (potencuar më lartë) dhe të një zyrtari policor”, thuhet në njoftim.
Sonte, me datë 26.09.2019, në orët e pasditës dy personat e dyshuar, gjyqtari dhe zyrtari policor janë arrestuar nga njësia rajonale për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prishtinë, thuhet më tej në njoftim.
Policia njofton se zyrtari i saj menjëherë është suspenduar dhe në kuadër të veprimeve të mëtejme është njoftuar dhe përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Edhe
Tre zyrtarë policorë mes gjashtë të arrestuarve për keqpërdorim detyre e ryshfet
“Operacioni i datës 26.09.2019, është realizuar në bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve hetimore me Prokurorinë Speciale të RKS-së. Dy personat e dyshuar dhe tani më të arrestuar nën dyshimin për vepra penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë”, “ marrje ryshfeti” dhe “ushtrim i ndikimit” janë intervistuar dhe në konsultim me prokurorin kompetent të njëjtëve iu është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë, për procedura të mëtejme”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës ri-konfirmon se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjitha nivelet, prandaj çdoherë dhe ndaj kujtdo që bie ndesh me procedurat dhe ligjet e Republikës së Kosovës, pavarsisht rolit dhe funksionit që ka individi i caktuar do të ndërmerren veprime rigoroze sipas kompetencës ligjore.