Kronikë

Nisin hetimet për narkotikët në Komunën e Leposaviqit

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet për narkotikët brenda Komunës së Leposaviqit.

Siç bëhet e ditur në një njoftim për media, Prokuroria ka thënë se ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për rastin që përfshin edhe zyrtarë të lartë të komunës.

Portali “Nacionale” publikoi të hënën video në të cilën shihen zyrtarë të kësaj komune, përfshirë nënkryetaren Dragana Miletiq, duke konsumuar drogë. Vetë Miletiq ka akuzuar Listën Serbe “për shpikje”.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin se përkitazi me publikimin e video incizimit të portalit Nacionale, publikuar me datë 29 janar 2024, me qëllim të ndriçimit të gjitha fakteve dhe rrethanave, ka autorizuar Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë, që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e këtij rasti, që ka të bëjë me persona të përfshirë që shihen në videot e publikuara, përfshirë identifikimin e të gjithë personave, pastaj mbledhjen e provave – video incizimeve të portalit Nacionale, dhe provave tjera relevante që janë të nevojshme për hetimin dhe ndriçimin e këtij rasti, në drejtim të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.