Është djegur vetura e nënkryetares të Komunës së Leposaviqit, Dragana Miletiq, fare pranë shtëpisë së saj. Ajo i tha KOHËS se sulmi nuk do ta spraps nga përcaktimi për ta ushtruar mandatin e nënkryetares.
Sulmet janë rikthyer në veri. Pas më shumë se një muaj qetësie, cak është bërë automjeti i një qytetareje serbe, e cila ndryshe nga shumica e banorëve të Leposaviqit që kanë bojkotuar zgjedhjet e fundit lokale, e ka njohur rezultatin zgjedhor dhe është bërë pjesë e strukturave komunale.
Në orët e para të mëngjesit të së martës në Komunën e Leposaviqit është djegur vetura e nënkryetares së kësaj komune, Dragana Miletiq, për çka tashmë Policia e Kosovës në pjesën veriore kanë filluar hetimet.
Sulmi nuk do ta sprapsë nënkryetaren Miletiq nga përcaktimi për ta ushtruar mandatin e nënkryetares. Ajo i tha KOHËS se do ta vazhdojë punën në Komunë.
“Sigurisht që do të jem në punë dhe do të vazhdoj ta kryej funksionin tim, pavarësisht shqetësimit. Rasti është duke u hetuar, dhe nuk mund të jap deklaratë më tutje deri në përfundim të hetimeve”, tha Miletiq.
Ky nuk është sulmi i parë ndaj nënkryetares Miletiq. Në qershor ajo është kërcënuar nga një person me inicialet B.D., të cilin Policia pati arritur ta arrestonte.
Edhe
Digjet vetura e nënkryetares së Leposaviqit
Një numër i automjeteve të serbëve u dogjën gjatë verës, menjëherë pasi pronarët e tyre i konvertuan në RKS targat ilegale të lëshuara nga Serbia.
Përkundër kërcënimeve, këtë muaj banorët e veriut me të madhe i janë përgjigjur thirrjes së Qeverisë për konvertim të targave.
“Mbi 1500 vetura janë të regjistruara deri sot, vetëm këto dy javët e fundit, i kemi edhe 800 herën e kaluar, i bie mbi 2000 vetura janë 02 të regjistruara në RKS në veri të vendit”, tha Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për Rajonin e Veriut.
Elshani, tha se sulmi ndaj nënkryetares së Leposaviqit nuk lidhet me targat dhe theksoi se ato ilegale të lëshuara nga Serbia nuk do të shihen në rrugët e veriut pas tri javësh.
Edhe
Osmani për djegien e veturës në Leposaviq: Synon ta pengojë integrimin e serbëve
“Siguria është ashtu siç është, këto raste i hetojmë me seriozitet nëse kemi raste të tilla, çfarë mund të garantojmë është, që javën e parë të dhjetorit, fundi i javës të dhjetorit këto targa nuk do të jenë në qarkullim”, tha Elshani.
Tensionet në veri janë përshkallëzuar prej kur Qeveria vendosi për të mos i lënë në qarkullim automjetet me targa ilegale të Serbisë. Pas shkarkimit të drejtorit të Policisë që refuzoi ta zbatonte vendimin, serbët braktisën institucionet. Shumica nga ta bojkotuan zgjedhjet pasuese, e në protestat kundër kryetarëve të rinj u plagosën dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it, u sulmuan policia e edhe ekipe të mediave.