Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Q.J., i cili gjendet në paraburgim që nga muaji maj i këtij viti, për shkak të veprës penale “Vrasje e rëndë”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 28 maj 2022, në rrugën “Rexhep Bislimi”, përkatësisht para hyrjes së një marketi i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.H.
“Pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tij për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me ç ‘rast me të takuar të ndjerin, ka shtënë gjashtë herë në drejtim të tij me armë zjarri, të tipit ‘SAUER model 38 H’ e kalibrit 7.65mm dhe si pasojë e të shtënave nga plagët e marra i ndjeri ka vdekur ashtu siç është konstatuar në raportin e autopsisë”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Ferizaj, që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale për të cilën akuzohet.