Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve A.S. dhe E.B., për veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.
Në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria, thuhet se prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë.
Sipas aktakuzës, i pandehuri A.S., në vazhdimësi, në cilësinë e personit përgjegjës të ndërrimit në subjektin afarist “NEPTUN”, me qëllim që të ketë dobi pasurore të kundërligjshme, ka keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve duke iu vjedhur dhe fotografuar të dhënat e kartelave të tyre bankare, të cilat i kishin përdorur për të bërë blerje në këtë dyqan, e i cili pastaj këto të dhëna i ka përdorur duke bërë blerje të kriptovalutave, ku më pas i ka shitur dhe i ka shndërruar në para kesh/euro, çka të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm material në shumën prej 6,124.1 euro.
Ndërsa, të pandehurit A.S. dhe E.B., në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur kartelën e bankës së një të dëmtuare, duke vepruar njësoj si rasti i parë, çka të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 1.236.07 euro.