Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Në Shqipëri arrestohen dy të dyshuar për trafikim të 107 veprave të artit nga Greqia

Policia në Shqipëri ka njoftuar se në Fier ka arrestuar dy të dyshuar për trafikim të veprave të ndryshme të artit që dyshohet se janë trafikuar nga Greqia në Shqipëri. Vlera e veprave që janë gjetur në banesën e tyre dyshohet se arrin në 1.5.milionë euro.

Në një postim në Facebook Policia ka publikuar pamje të operacionit policor “Vlera” ku shihen veprat që janë konfiskuar.

“Pas një pune intensive hetimore me metoda proaktive, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i 2 shtetasve që ushtronin veprimtari kriminale në fushën e trafikimit, kryesisht të veprave të artit dhe të kulturës”, thuhet në njoftim.

Në banesën e të dyshuarve thuhet se janë konfiskuar 107 vepra arti, që dyshohet se janë trafikuar nga shteti grek.

“Gjatë operacionit, në banesat e këtyre 2 shtetasve, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 107 vepra arti të dyshuara të trafikuara nga shteti grek, ndër të cilat ikona dhe piktura të autorëve grekë dhe rumunë, shpata dhe sende të tjera që dyshohet se i përkasin periudhës së antikitetit, një kokë mermeri e dyshuar e shekullit të dytë para lindjes së Krishtit, të gjitha këto me vlerë rreth 1.5 milionë euro, si dhe automjeti furgon me të cilin autorët transportonin veprat nga shtetit grek, në Shqipëri, municion luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një peshore elektronike”, thuhet në njoftim.