Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Në Gjermani nis procesi gjyqësor ndaj dy shqiptarëve që kthyen hotelin në laborator droge

Laboratori i kanabisit i zbuluar në Wuppertal

Në gjykatën në qytetin gjerman Wuppertaler ka nisur procesi gjyqësor ndaj dy shqiptarëve që kishin kthyer një ish-hotel në laborator kanabisi, raporton “RP Online”.

Policia në Gjermani në nëntor të vitit të kaluar kishin vërejtur një aktivitet të pazakontë në një ish-hotel. Gjatë bastisjes zbuluan 1500 bimë kanabisi. Në atë ndërtesë takuan dy burra, Erblin S. (32) dhe Eugert Q. (21), të cilët i arrestuan.

Të dy shqiptarët thuhet se nuk kishin një adresë. Në akuzë thuhet se njëri nga të dyshuarit kishte marrë me qira objektin nga një person. Më 1 mars të vitit të kaluar thuhet se kishin marrë objektin me qira e kishin nisur të mbjellnin në të bimë kanabisi. Në fund ishin mbjellë bimë në 48 dhoma të ish-hotelit.

Sipas akuzës, ata mund të kishin korrë deri 125 kilogramë marihuanë dhe të arkëtonin rreth një milion euro, po të mos ndodhnin “aktivitetet e pazakonta”.

Befasuese është se si në një zonë të banueshme në qytete ka mundur që me muaj të tërë mos të vërehet plantacioni. Zakonisht plantacione të tilla zbulohen në zona që nuk frekuentohen.

Para disa muajve ishte zbuluar një plantacion me 2000 mijë kanabisi. Aty ishin arrestuar shqiptarë që po punonin si “kopshtarë” në atë plantacion dhe ishin pajtuar të punonin për tre muaj me pagë mujore 3000 euro.