Kronikë

Molliqaj, Sveçla dhe pesë të tjerë mungojnë në gjykimin për huliganizëm

Vetëm tre të akuzuar janë paraqitur para gjyqtarit Eroll Gashi në seancën e paraparë sot për rastin ku 10 persona janë të akuzuar për pjesëmarrje në turma që kanë kryer huliganizëm në qershor të 2013-tës në një protestë kundër marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë (kundër asociacionit të komunave serbe).

Ndër të akuzuarit që nuk janë paraqitur në seancë janë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ish-deputetët Dardan Molliqaj e Frashër Krasniqi.

"Nga njoftimi zyrtar me datën 29.03.2023 e ka lajmëruar gjykatën se ‘me keqardhje ju njoftoj se për shkak të angazhimeve të natyrës urgjente nuk mund të marr pjesë në seancën e sotme’ ", ka thënë gjyqtari Eroll Gashi.

Për Frashër Krasniqin gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, porse policia nuk e ka gjetur atë në adresën e paraqitur në shkresat e lëndës dhe se i takon një stacioni tjetër policor që ta sjellë atë.

"Është lëshuar edhe urdhëresa drejtuar stacionit policor qendra mirëpo deri më tani nuk kemi njoftim lidhur me moszbatimin e kësaj urdhërese", ka thënë Gashi.

Gjyqtari vendosi që për tre të akuzuarit prezentë ta veçojë procedurën. Ai ka thënë se për të akuzuarit që nuk ishin prezent gjykata do të vendosë lidhur me mënyrën se si do të procedohet lidhur me sigurimin e pranisë së tyre në shqyrtim gjyqësor.

Të dyshuarit akuzohen se më datë 27 qershor të vitit 2013 në Prishtinë gjatë një proteste, me veprimet e tyre të dhunshme, huligane – duke hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe mjete piroteknike në drejtim të policisë, ku si pasojë katër zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime, ndërsa janë shkaktuar edhe dëme materiale, përfshirë dëmtimin e veturave – kanë kryer secili veç e veç veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi”.


Anëtari i Vetëvendosjes refuzon t’u përgjigjet pyetjeve të gjykatës

Anëtari tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, i akuzuar në këtë rast, Egzon Azemi, ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të gjykatës.