Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Lushnjë, një person vret nënën e plagos rëndë babanë

Policia e Shtetit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën mbrëma në fshatin Zhymë në Lushnje, ku një person ka vrarë nënë e tij dhe ka plagosur rëndë të atin duke i goditur me sqepar, raporton “Top Channel”.

Autori dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është larguar nga vendngjarja. Ai u arrestua rreth një orë pasi kreu krimin.

“Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta të Policisë rrethuan zonën, ngritën pika kontrolli dhe u vunë në ndjekje të autorit, i cili paraqiste rrezikshmëri edhe për banorët e tjerë. Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe angazhimit të shërbimeve të Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe Komisariatit të Policisë Lushnjë, u bë i mundur lokalizimi i autorit të dyshuar, pranë Spitalit Memorial, Fier, dhe vënia në pranga e tij, rreth një orë pas ngjarjes. Shtetasi F. D., 45 vjeç, është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, së bashku me automjetin që drejtonte, ku po kryhen veprimet procedurale. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të saj”, ka njoftuar Policia. 

Dyshohet se autori ka precedent të mëparshëm penal, pasi edhe më herët ka tentuar të vrasë një person me sende të forta në po të njëjtin fshat.