Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Kosovari bëhet lajm në Zvicër për ngasje me shpejtësi dyfish më të lartë se që lejohej

Një kosovar është bërë lajm në mediat zvicerane për shkak të ngasjes së veturës me shpejtësi dyfish më të lartë se që lejohej. Siç ka shkruar “Blick” të enjten, kosovari kishte drejtuar makinën e tij në shpejtësi prej 164 kilometrash për orë, në një rrugë ku lejohej të vozitej deri në 80 km/orë.

Sipas përshkrimit, rasti kishte ndodhur të shtunën në mbrëmje. Vetura e kosovarit ishte kapur në shpejtësi të jashtëzakonshme përmes një radari mobil në Birmenstorf.

Në raportim theksohet se polici që kishte parë rastin, s’kishte arritur të besonte fillimisht se dikush mund të drejtojë veturën në shpejtësi të tillë në atë zonë dhe menjëherë kishin nisur hetimet. Me sukses, në kantonin Aargau, policia gjeti shtëpinë e kosovarit dhe ia mori lejen e qarkullimit. Prokuroria tashmë ka hapur rast ndaj shoferit të një “BMW M1351” të zezë, por ajo s’ka arritur ta konfiskojë sepse nuk ishte në pronësi të shoferit.

Me kapjen e tij, policia në Aargau ka thënë se “ne duam që të kapim pikërisht ngasës të tillë”.

“Me shpejtësinë e jashtëzakonshme, ata jo vetëm që rrezikojnë jetët e tyre, por edhe të të tjerëve”, ka thënë Bernhard Graser nga Policia kantonale për 23-vjeçarin kosovar.