Ai akuzohet se në muajin korrik të këtij viti, në disa fshatra të Gjakovës, ka kryer veprën penale vjedhje, kryesisht në shtëpitë e personave të cilët jetojnë jashtë vendit.
“I pandehuri akuzohet se gjatë periudhës 6–15 korrik 2025, në disa fshatra të Komunës së Gjakovës, ka kryer një sërë veprash penale të natyrës së vjedhjeve, kryesisht në shtëpi të personave që jetojnë jashtë vendit. Fillimisht, ai ka tentuar të kryejë një vjedhje të zakonshme të mbetur në tentativë në fshatin Orize, pastaj në vazhdimësi ka kryer disa veprime të vjedhjes së rëndë duke depërtuar me forcë në nëntë (9) shtëpi të ndryshme me qëllim përvetësimi të kundërligjshëm të dobisë pasurore në fshatrat Ramoc, Dallashja, Sheremet, Meje, Osek Hilë, por pa arritur të marrë asgjë, duke konsumuar kështu veprën penale të vjedhjes së rëndë në vazhdimësi, e mbetur në tentativë, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë.
Tutje theksohet se “më 15.07.2025, në fshatin Osek Hilë, një nga rastet, i pandehuri ka arritur të marrë para dhe një orë dore nga një shtëpi tjetër, duke kryer kështu veprën penale të vjedhjes së rëndë”.
Gjyqtari i vetëm gjykues, Driton Sadiku, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, të pandehurin e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burgim në kohëzgjatje katër vjet e gjashtë muaj dhe dënim unik me gjobë në shumën prej dymijë euro.