Kronikë

Katër të mitur nën hetim për 11 raste të vjedhjeve në Ferizaj

arrestim - pranga

Të paktën katër persona të mitur janë identifikuar nga Policia si të dyshuar për përfshirje në disa raste vjedhjesh të ndodhura kryesisht në territorin e këtij qyteti. 

Sipas Policisë, hetimet janë zhvilluar nga muaji gusht i vitit 2025 deri në janar t këtij viti dhe përfshijnë vepra penale të cilësuar si “vjedhje”, “vjedhje e rëndë” dhe “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Hetimet janë përqendruar në një grup personash të mitur, të cilët dyshohen se në bashkëkryerje kanë vjedhur në lokale afariste, markete dhe hapësira banesore, duke përvetësuar biçikleta, skuterë, telefona mobilë, para të gatshme, mjete pune dhe gjësende të tjera.

Gjatë periudhës hetimore, e cila përfshin edhe një rast në tetor të vitit 2024, policia ka ndërmarrë veprime të shumta, përfshirë intervistimin e dëshmitarëve nga vendet e ngjarjes, bashkëpunimin me njësi policore të rajoneve të tjera, si dhe analizimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë.

Si rezultat i hetimeve, më 13 janar, në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj, janë ndaluar dhe shoqëruar në stacionin policor pesë persona të mitur të dyshuar. Pas analizës dhe krahasimit të pamjeve të sigurisë, janë identifikuar katër prej tyre si të dyshuar për gjithsej 11 raste vjedhjesh dhe dëmtim pasurie, të ndodhura në lokacione të ndryshme të qytetit gjatë periudhës tetor 2024 – janar 2026.

Gjatë hetimeve janë sekuestruar një skuter dhe dy biçikleta, të cilat, sipas Policisë, do t’u kthehen palëve të dëmtuara. 

Veprimet hetimore janë zhvilluar nën autorizimin e prokurorit të shtetit nga Departamenti për të Mitur.

Po ashtu, janë njoftuar Qendrat për Punë Sociale dhe prindërit e të miturve të përfshirë. 

Meqenëse të dyshuarit në kohën e kryerjes së veprave penale kanë qenë nën moshën e përgjegjësisë penale, ata janë liruar dhe janë dorëzuar prindërve të tyre për procedura të mëtejme.