Kronikë

Kapen mbi 400 artikuj tekstili të falsifikuar në Gjilan

Foto: Dogana e Kosovës

Foto: Dogana e Kosovës

Dogana e Kosovës njoftoi se janë sekuestruar mbi 400 artikuj tekstili në Gjilan, me dyshimin se janë falsifikuar.

Sipas njoftimit, njësiti antikontrabandë ka bërë me dije se kontrolli është ndërmarrë si rezultat i konfiskimeve të mëhershme të mallrave me marka tregtare të falsifikuara, që u tha se përbëjnë shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.

Dogana tha se mbetet e përkushtuar në luftën kundër falsifikimit dhe mbrojtenb e tregut nga produktet që cenojnë të drejtën e ligjshme të pronarëve të markave tregtare.

Foto: Dogana e Kosovës

“Sot, njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në vazhdën e aktiviteteve të tyre për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale (DPI), kanë realizuar një kontroll të targetuar tek një subjekt afarist në qytetin e Gjilanit. Kontrolli është ndërmarrë si rezultat i konfiskimeve të mëhershme të mallrave me marka tregtare të falsifikuara, të cilat përbëjnë shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale. Gjatë këtij kontrolli janë identifikuar dhe sekuestruar rreth 400 artikuj tekstil, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se janë produkte që cenojnë markat tregtare të mbrojtura me DPI”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Dogana bëri me dije se në një komunikatë paraprake se rreth 18 mijë euro të padeklaruara janë sekuestruar të martën në pikën kufitare në Vërmicë.

Në komunikatën e lëshuar është thënë se në mungesë të deklarimit të këtyre mjeteve, konfiskon 25 për qind të shumës së tyre, ndërsa shumën tjetër e mban deri në përfundim të procedurave hetimore.