Kronikë

Ish-sekretari i MKRS-së dëshmon në rastin ku i akuzuar është ish-kryetari i Leposaviqit

Ish-sekretari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, Veton Firzi, ka dëshmuar para Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin ku po akuzohen për krim të organizuar 15 persona, përfshirë ish-kryetarin e Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq. Firzi ka thënë se Qeveria kishte lidhur marrëveshje me Leposaviqin që projekti i një pishine të mbikëqyrej nga Komuna e të monitorohej nga Ministria, porse nga Leposaviqi nuk e mban mend nëse ka pasur ndonjë kërkesë konkrete për këtë çështje

Ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Veton Firzi, ka dëshmuar të hënën para Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me rastin ku për krim të organizuar po akuzohen 15 persona, përfshirë ish-kryetarin e Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq.

Firzi ka thënë se për projektin e pishinës me vlerë mbi 800.000 euro ka nënshkruar memorandum ish-ministri Kujtim Shala. Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores speciale Merita Bina Rugova, ai tha se Departamenti i Sportit e ka monitoruar kohë pas kohe projektin dhe se memorandumi i nënshkruar nuk parashihte që Ministria të merrte pjesë në caktimin e menaxherit të kësaj kontrate. Kjo, sipas tij, nuk i ishte kërkuar as nga Komuna e Leposaviqit që e zbatonte këtë projekt.
“A jeni të njoftuar se në Ligjin 04/L-042, neni 81, kryetari i komunës dhe sekretarët permanentë të ministrive bashkërisht e caktojnë menaxherin e projektit? A është vepruar në pajtim me këtë nen?”, ka pyetur prokurorja.

Firizi ka mohuar një gjë të tillë.

“Ju thashë se unë nuk kam pranuar një kërkesë të tillë nga Komuna e Leposaviqit dhe sekretari i përgjithshëm në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë nuk cakton organin mbikëqyrës, atë e përcakton Departamenti i Sportit si departament mbikëqyrës dhe ia propozon sekretarit”, ka deklaruar Firizi.

E Ramë Gashi, avokat i të akuzuarit Jabllanoviq, e ka pyetur Firzin nëse Ministria i është drejtuar ndonjëherë Komunës së Leposaviqit me ndonjë kërkesë konkrete.

Firizi ka theksuar se nuk ka njohuri për këtë.

Në seancën e mbajtur të hënën ka dëshmuar edhe përmbaruesja private Emine Sherifi-Lubeniqi lidhur me tri raste, ku i ka përmbaruar 2.6 milionë euro, 600 mijë euro dhe 200 mijë euro. Kërkesat i kishin ardhur nga dy kompani që kërkonin borxhin nga Komuna e Leposaviqit.

“Vetë kryetari i Komunës, në seancën e mbajtur ku është provë edhe procesverbali, ka deklaruar se ekziston ky detyrim, duhet të paguhet, kemi një memorandum të bashkëpunimit me Ministrinë dhe mjetet kanë qenë të ndara për këto punë të cilat janë kryer”, ka theksuar Sherifi-Lubeniqi.

E në përgjigjet e pyetjeve të avokatëve mbrojtës, ajo ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë kundërshtimi për përmbarim të mjeteve nga Avokatura Shtetërore.

Në këtë rast po akuzohen edhe nëntë zyrtarë komunalë të Leposaviqit dhe pesë përfaqësues nga katër kompani fituese të tenderëve për krim të organizuar me projektet ndërtimore në Komunën e Leposaviqit për periudhën 2015-2017.

Seancat e radhës për këtë rast janë caktuar për 12 e 13 prill.