Ish-kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq dhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Filip Adzhiq, kanë dhënë deklarata në Departamentin Special të Policisë (SPO), në kuadër të hetimeve paraprake lidhur me dhënien e shtetësisë së nderit biznesmenit nga Kosova, Naser Ramaj. Gazeta “Vijesti” ka marrë vesh nga disa burime se shtetësia Ramajt i është dhënë pak para përfundimit të mandatit të Qeverisë së Abazoviqit.
Abazoviq dhe Adzhiq janë marrë në pyetje rreth dhjetë ditë më parë, ku u janë përgjigjur pyetjeve të zyrtarëve të Departamentit Special të Policisë lidhur me dokumentacionin mbi bazën e të cilit kishin vendosur t'ia miratonin Naser Ramajt regjistrimin në shtetësinë malazeze.
Ish-kryeministri ka konfirmuar për “Vijesti”-n se ka dhënë deklaratë në cilësinë e qytetarit në ambientet e SPO-së, por nuk ka dashur të flasë për detajet e marrjes në pyetje.
Ndësra ish-kreu i Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk iu është përgjigjur mesazheve të gazetës.
Prokuroria Speciale e Shtetit dhe Departamenti Special i Policisë (SPO) po zhvillojnë procedurë hetimore paraprake për të përcaktuar nëse ka pasur ndonjë keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare, kur pak para përfundimit të mandatit të Qeverisë së Abazoviqit, biznesmenit nga Kosova, në bazë të së drejtës diskrecionale, iu dha shtetësia e nderit e Malit të Zi.
Edhe
Vuçiq vazhdon ta vuajë që Mali i Zi e ka pranuar pavarësinë e Kosovës
Dhënies së kësaj shtetësie i kishte paraprirë një mendim pozitiv nga Ministria e Financave, si dhe një verifikim pozitiv i sigurisë nga Agjencia për Siguri Kombëtare (ANB). Po ashtu, kishte pasur edhe propozimin e kryeministrit të atëhershëm që Ministria e Punëve të Brendshme ta regjistronte Naser Ramajn në Regjistrin e shtetasve malazezë.
“Vijesti” ka shkruar se Ramaj, më 28 gusht 2023, ka dorëzuar kërkesën për marrjen e shtetësisë së Malit të Zi sipas nenit 12 të Ligjit për shtetësinë malazeze dhe se ndër të tjera kishte shkruar se ishte “një dashamirës i madh i Malit të Zi, të cilin e konsideron si shtetin e tij”.
Ramaj ka qenë pronar i klubit të futbollit Feronikeli.
KOHA në janar të vitit 2025 pati raportuar se ky klub ka pasur borxhe të pashlyera ndaj ish-lojtarëve.
FIFA e kishte obliguar Feronikelin 74 t’i shlyejë borxhet ndaj lojtarëve e trajnerëve, si “trashëguese sportive” e klubit të futbollit Feronikeli.
Rreth 700 mijë euro është shuma e obligimeve që kishte kryesia e Feronikelit. Gjithë këto borxhe ishin mbledhur prej 2019-s, vit kur Feronikeli fitoi titullin e kampionit, Kupën dhe Superkupën e Kosovës.
Në prill të vitit të kalauar kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, pati kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq, që urgjentisht të nisë procedurën për heqjen e shtetësisë për biznesmenin nga Kosova, Naser Ramaj, i akuzuar për evazion fiskal.
Edhe
Incident para samitit në Tivat: Mali i Zi dëbon 87 serbë, Serbia ndalon qytetarë malazezë
Qeveria e ish-kryeministrit, Dritan Abazoviq, ia kishte dhënë Naser Ramajt shtetësinë e nderit në vitin 2023, me arsyetimin se ai ishte një nga investitorët e kompleksit “Porto Budva” me vlerë prej 80 milionë eurosh.
Prokuroria e akuzon atë dhe Valentin Gruboviqin se, si përgjegjës në kompaninë “Alart Centar Budva”, nuk kanë raportuar të ardhurat nga shitja e hapësirave të banimit dhe biznesit pikërisht në këtë kompleks.