Kronikë

I dyshuari për vrasjen te ish-Blloku zotëron edhe pasaportë të Kosovës

Ervis Martinaj i arrestuar pas përplasjes me armë, më 4 tetor, në Tiranë, ku mbeti i vrarë një person, zotëron pasaportë të Republikës së Kosovës. Pasaportën e Kosovës me emër Admir Koca, sipas Prokurorisë, Martinaj dyshohet se e përdorte për të dalë jashtë kufijve të Shqipërisë.

Gjykata e Tiranës zhvilloi të dielën seancën në ngarkim të Ervis Martinajt, një nga personat e përfshirë në vrasjen që ndodhi në qendër të Tiranës. Në këtë incident u përfshi edhe Ervin Mata, i dashuri i këngëtares së njohur Elvana Gjata, ku kjo e fundit ka qenë e pranishme në momentin e vrasjes, raporton korrespodenti i Kohës Ditore në Shqipëri.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë për Martinajn, nga 30 ditë burg, në burg pa afat. Prokuroria kërkoi arrestin me burg edhe për faktin se ekziston rreziku i largimit jashtë Shqipërisë. Në kërkesën për caktim mase sigurie “arrest me burg”, Prokuroria e Tiranës thotë se Martinaj ka lëvizur jashtë Shqipërisë me pasaportë të Kosovës dhe ka dyshime se ajo mund të jetë falsifikuar nga vetë i dyshuari.

“Pas komunikimit me njësitë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe koordinimit për verifikim, ka rezultuar se shtetasi Ervis Martinaj, ka një tjetër pasaportë me identitetin Admir Koca, të cilën e ka përdorur edhe për të dalë jashtë kufijve të Shqipërisë, dokumentuar me printim nga sistemi TIMS. Dokumentohet në këtë mënyrë qartazi rreziku i ikjes së shtetasit Ervis Martinaj”, thuhet në materialin e prokurorisë.

Më tej Prokuroria e Tiranës thotë se ka dërguar në Kosovë një letër-porosi për verifikimin e të dhënave të kësaj pasaporte, pasi dyshohet se Martinaj ka kryer edhe veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.

Nga ana tjetër, avokati i Ervis Martinajt, Marash Martini, ka kërkuar që të mos ketë ndryshim të masës së sigurisë të vendosur më herët nga gjykata. Por Gjykata ka vendosur që vendimin për të ta japë ditën e hënë, në orën 11:30. Prokuroria kërkon në gjykatë "arrest me burg pa afat" për biznesmenin Ervis Martinaj pas provave të reja të gjetura për rolin e tij në ngjarjen e 4 tetorit në ish-Bllokun, në qendër të Tiranës.

Kërkesa e organit të akuzës bazohet në dyshimet se Martinaj ka qëlluar me armë në vendin ku u vra Fabion Gaxhaj dhe u plagos Eljon Hato dhe vetë ai. Në kërkesën e prokurorisë thuhet se ekspertimi i kryer më 6 tetor ka gjetur faktorë plotësues të qitjes me armë në duart e Ervis Martinajt. Po kështu prokuroria thotë se nga ekspertimi që i është bërë telefonit të Martinajt në Izrael janë zbardhur dhe bisedat e kryera prej tij natën e ngjarjes ku u kërkon personave të rrethit të tij shoqëror të marrin armët e të shkojnë tek lokali i Redi Popeskut në zonën e ish-Bllokut pasi kishte një konflikt. Kërkesa e Martinajt që njerëzit e tij të shkonin me armë tek vendi ku ndodhi ngjarja kishte ndodhur pas një takimi që ai kishte lënë me Ervin Matën. Nga ekspertimi i telefonit është zbuluar se natën e ngjarjes në orën 21:17, Martinaj ka komunikuar në WhatsApp me personin e regjistruar me emrin Boli, ku ka lënë vendin e takimit. Sipas prokurorisë, takimi i Ervis Martinajt me Ervin Matën nuk ka qenë rastësor. Ndërkohë Prokuroria ka zgjeruar hetimet dhe për akuzën e pastrimit të parave. / Bashkim Shala