Kronikë

I dënuari për dhunim në Britani kërkohet për vjedhjen në Kosovë

Rinor Korqa

Në foto, sekretarja britanike dhe Rinor Korqa. Foto në të djathtë: Policia britanike

Një shqiptar që është dënuar me burgim në Britani të Madhe për veprën penale të dhunimit, po kërkohet nga Kosova nën dyshimin për grabitje të armatosur në një shtëpi para shtatë vjetësh.

Rinor Korqa, 28-vjeçar, ishte dënuar në janar të 2024-s nga autoritetet britanike me pesë vjet e gjashtë muaj burgim për rolin në sulmin ndaj një gruaje në lagjen Havering të Londrës.

Viktima një mbrëmje ishte ndarë nga shoqet gjatë ndejës. Ajo ka raportuar se një person e ka përdhunuar ndërsa një tjetër e ka filmuar me telefon.

E siç ka shkruar “metro”, Korqa tani përballet me ekstradim në Kosovë për të dalë para gjykatës nën dyshimin për grabitje më 22 dhjetor të 2017-s. Sekretares së Brendshme britanike, Shabana Mahmood, i është kërkuar të vendosë për këtë çështje, që është në gjykatat britanike tash e shtatë muaj.

Korqa po akuzohet se kishte kryer vjedhje në një shtëpi në Hajvali dhe se kishte vjedhur një kuletë me 1500 euro, 50 dollarë, një letërnjoftim, një lirë dhe një telefon.

Ai ishte arrestuar në Britani nën urdhërarrestin e lëshuar nga Kosova. Kosova ka traktat me Mbretërinë e Bashkuar, të tipit që duhet të ofrojë prova në mbështetje të kërkesës për ekstradim.

Korqa dhe Bujar Jashari ishin dënuar në janar të vitit të shkuar. Korqa ishte dënuar me pesë vjet e gjashtë muaj burgim për përdhunim dhe për moszbulim të kodit të telefonit, ndërsa Jashari me shtatë vjet burgim për përdhunim. Sulmi kishte ndodhur në qershor të 2023-s.