Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

I akuzuari për vrasje thotë se veproi në vetëmbrojtje pasi iu kërkua të kryente marrëdhënie seksuale

shiriti i policisë

Foto-Ilustrim: KOHA

I akuzuari për vrasje të rëndë, Kemal Mustafa, është deklaruar i pafajshëm dhe ka thënë se nga frika ka vepruar të mbrojë veten.

Këtë deklarim, Mustafa që akuzohet për vrasjen e S.M., e ka bërë të enjten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në seancën e shqyrtimit fillestar ku është lexuar aktakuza.

“Jo nuk e pranoj që jam fajtor. Unë e kam bërë për me mbrojtë veten sepse në atë moment jam tutë”, deklaroi i akuzuari Mustafa.

Mustafa akuzohet se ka therur me thikë 33 herë viktimën S.M pasi sipas aktakuzës ky i fundit e kishte goditur me grusht, duke i kërkuar marrëdhënie seksuale në kundërshtim me dëshirën e tij.
Pasi i akuzuari u deklarua i pafajshëm, gjykatësi e njoftoi se në afat prej 15 ditësh ka të drejtë të paraqesë kundërshtimin e provave të caktuara në aktakuzë apo kërkesë për hedhjen e aktakuzës.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 9 shtator 2024 kishte ngritur aktakuzë kundër Kemal Mustafës.
Sipas aktakuzës, Mustafa ngarkohet se më 11 gusht 2023, rreth orës 23:29 deri në 23:45, në rrugën “UÇK” në lagjen Bair, Mitrovicë, brenda oborrit të spitalit rajonal, me qëllim që ta privojë nga jeta S.M., e goditi S.M., me thikë dhe i shkaktoi vdekjen.

Në aktakuzë thuhet se derisa i pandehuri Mustafa kishte qenë se bashku me djalin e tij të mitur A.K, duke mbledhur kanaçe nëpër kontenjer të bërllokut, tani i ndjeri S.M., e kishte ndalur automjetin dhe e kishte thirrur të pandehurin Mustafa, dhe i kishte thënë që të shkoi në automjetin e tij për t’ia dhënë disa shishe dhe disa gjëra, ku me pas i pandehuri Mustafa kishte hyrë në automjet të tani të ndjerit S.M., dhe kishin shkuar në lagjen Bair dhe kishin hyrë në oborrin e spitalit, ndërsa i pandehuri Mustafa e kishte pyetur tani të ndjerin S.M., se pse e kishte dërguar aty, i njëjti i kishte thënë që të zhvishet për të kryer marrëdhënie seksuale.

Edhe Prokuroria ngre aktakuzë ndaj një personi për vrasje të rëndë në Mitrovicë Kronikë Prokuroria ngre aktakuzë ndaj një personi për vrasje të rëndë në Mitrovicë

Sipas aktakuzës, thuhet se i pandehuri Mustafa kishte refuzuar të kryente marrëdhënie me tani të ndjerin, i cili kishte vazhduar të insistonte dhe e kishte goditur me grusht të pandehurin, ndërsa i pandehuri Mustafa e kishte sulmuar viktimën me thikë 33 herë në trup, duke i shkaktuar plagë si pasojë e të cilave kishte vdekur në bazë të ekspertizës së autopsisë për tani të ndjerin.

Me këtë,  Mustafa  akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi