Ekspertët e balistikës Lutfi Raci dhe Tefik Hoti, janë dëgjuar të mërkurën në gjykimin ku Gani Kriezi, po akuzohet se në shkurt të vitit 2020 e ka vrarë dhe më pas e ka djegur vëllain e tij, B.K, në Bërnjak të Rahovecit.
Fillimisht në këtë seancë është dëgjuar eksperti Raci, i cili tregoi se çfarë konstatime ka nxjerrë nga ekspertiza që ia ka bërë armës “Crvena Zastava”, fishekëve dhe gëzhojës që i kishte objekt ekspertimi, raportoi “Betimi për Drejtësi” të mërkurën.
“Bazuar në rezultatet e ekspertimit kemi konstatuar se arma-pistoleta, objekt ekspertimi, është testuar dhe ka qenë funksionale”, tha eksperti Raci, duke shtuar se nga testet e bëra, ka rezultuar se shkrepja ka ndodhur nga pistoleta “Crvena Zastava”.
Më pas, në këtë seancë është dëgjuar eksperti tjetër, Tefik Hoti, i cili ka bërë ekspertizën për armën tjetër të tipit “Zoraki”.
Ai ka thënë se nga testimet që i kanë bërë armës, ka rezultuar se e njëjta është funksionale dhe gjuan në mënyrë gjysmë automatike, por shtoi se arma është konvertuar, që do të thotë se fillimisht është prodhuar për shkrepje të fishekëve të gazit, pastaj të njëjtës i është modifikuar tyta, që të bëhet shkrepja e fishekëve të kalibrit 7.14x17mm.
Seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 2 gusht 2022, ku pritet të dëgjohen dëshmitarë të tjerë, si dhe ekspertë të ADN-së.
Në këtë seancë, trupi gjykues e ka refuzuar propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Afrim Radoniqi, që të akuzuarit t’i zëvendësohet masa e sigurisë me arrest shtëpiak.
Sipas aktakuzës, më 11 shkurt 2020, në fshatin Bërnjak, Komuna e Rahovecit, në shtëpinë e tani të ndjerit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, i akuzuari Gani Kriezi, me dashje ka privuar nga jeta vëllain e tij, B.K..
Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas i akuzuari e merr kufomën, duke e tërhequr zvarrë me një batanije, e vendos në oborr të shtëpisë. Më pas kufomën e mbulon me materiale të ndryshme si: drurë, plastikë, thasë letre, dërrasa, letër të zezë, e gjëra tjera, të cilat më pas i ndez duke krijuar një zjarr të madh, i cili qëndron i ndezur 2-3 ditë. Më pas mbeturinat së bashku me disa mbetje kockore të të ndjerit janë hedhur jashtë shtëpisë, në një vend deri tani të paidentifikuar, me qëllim për t’i zhdukur gjurmët e krimit. /BetimiPërDrejtësi