Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Burgim të përjetshëm rahovecianit për vrasjen dhe djegien e vëllait

Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit G. K., duke e dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e vëllait të tij.

G.K. akuzohej se në shkurt të vitit 2020, në fshatin Bërnjak të Rahovecit, me dashje e ka privuar nga jeta vëllain e tij, tani të ndjerin B.K, e më pas e ka djegur trupin e tij.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit G.K. u shpall të mërkurën, nga kryetari i trupit gjykues, Drilon Haraçia.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari G.K. për veprën penale “Vrasje e rëndë” dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa për armëmbajtje pa leje me një vit burgim. Ndaj tij, u shpall dënim unik me burgim të përjetshëm.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Edhe Supremja e vërteton dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e vëllait Kronikë Supremja e vërteton dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e vëllait

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 11 shkurt 2020, në fshatin Bërnjak, Komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, i akuzuari G. K, me dashje ka privuar nga jeta vëllain e tij, B.K.

Aktakuza thotë se i akuzuari, paraprakisht kishte njohuri se vëllai kishte një shumë të konsiderueshme të parave, të cilat i kishte marrë me vete nga shteti i Zvicrës dhe në ditën kritike, G. K. kishte shkuar në shtëpinë e tij gjoja për t’ia dërguar një shumë të hollave prej 7 mijë eurosh, të cilat i kishte marrë nga djali i të ndjerit B.K, A. J. C., në emër të një borxhi.

Aktakuza thotë se gjatë një bisede të përbashkët, i akuzuari ishte fyer nga tani i ndjeri, me pretekst se po i ndërhynë në familjen e tij.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i revoltuar nga kjo, i akuzuari kthehet në shtëpinë e tij, merr revolen, ku rreth orës 11:00 përsëri shkon në shtëpinë e tani të ndjerit B.K, hyn brenda në shtëpi, dhe në sallon, ku po qëndronte i njëjti, e ka goditur me predha në gjoks duke e lënë të vdekur në vend.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas i akuzuari e merr kufomën, duke e tërhequr zvarrë me një batanije, e vendosë në oborr të shtëpisë, më pas kufomën e mbulon me materiale të ndryshme si: dru, plastikë, thasë letre, dërrasa, letër të zezë, e gjëra tjera, të cilat më pas i ndez duke krijuar një zjarr të madh, i cili qëndron i ndezur 2-3 ditë dhe më pas mbeturinat së bashku me disa mbetje kockore të tani të ndjerit thuhet se i hedh jashtë shtëpisë, në një vend deri tani të paidentifikuar, më qëllim për t’i zhdukur gjurmët e krimit.

Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 dhe 1.6 të Kodit Penal, e cila dënohet me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Edhe Mbi 21 vjet burgim rahovecianit që vrau vëllanë për bagëti Kronikë Mbi 21 vjet burgim rahovecianit që vrau vëllanë për bagëti

Tutje sipas prokurorisë, i pandehuri më parë e deri më 11 shkurt 2021, pa autorizim ka poseduar armë dhe municion, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Republikën e Kosovës.

Me këto veprime, i njëjti ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal. Kjo vepër dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet. /Betimi për Drejtësi