Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vrasja në Dragodan, gjykata vendos për ekzaminim të rrobave të viktimës

Vrasje

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së vitit 2023 në lagjen Dragodan. Në të ishte paraparë që të dëgjohet në cilësinë e dëshmitares, ekspertja e psikiatrisë, Blerina Hoxha, por ajo mungoi. Me kërkesë të palës mbrojtëse trupi gjykues vendosi që të kryhet ekzaminimi i rrobave që viktima R.T. kishte veshur në momentin e ngjarjes

Elda Islami                        

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për vrasjen në Dragodan, u vendos që të bëhet ekzaminimi i rrobave që i ndjeri R.T, i kishte veshur në momentin kritik.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në këtë rast, Avni Mustafa akuzohet për vrasjen e R.T,. dhe për armëmbajtje pa leje, Mustafë Mustafa akuzohet për pjesëmarrje në rrahje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Leutrim Mustafa për manipulim me prova.

Mbrojtësi i të akuzuarit Avni Mustafa, avokati Besnik Berisha, propozoi që të bëhet ekzaminimi për grimca të barotit, në rrobat e tani të ndjerit.

“Me respekt i propozojmë gjykatës që të urdhërohet ekzaminimi për grimcat e barotit për të dy rrobat që, sipas raporteve dhe njoftimit, janë marrë nga tani i ndjeri, me qëllim që të konfirmohet distanca e saktë në momentin e shkrepjes së armës nga zoti Avni Mustafa.Edhe nga dëshmia e mjekut ligjor Naim (…) dhe ekspertit Naim Halili është konfirmuar se, po të kishin në dispozicion të dhëna lidhur me grimcat e barotit, do të mund të konstatonim edhe distancën mes qitësit dhe viktimës. Për këto arsye, meqenëse sot nuk është paraqitur ekspertja e psikiatrisë, i apelojmë gjykatës që të kërkohet realizimi i kësaj ekspertize dhe kjo të bëhet me procedurë urgjente, për shkak të stadit ku ndodhet procesi dhe rrethanave të rastit”, ka thënë Berisha.

Kërkesën për ekspertizën e rrobave të viktimës e kundërshtoi prokurorja e rastit, Fatmire Cacaj.

“Edhe në seancat e kaluara kam kundërshtuar një propozim të tillë, kështu që edhe sot qëndroj pranë të njëjtit qëndrim dhe kam të njëjtin kundërshtim”, ka thënë Cacaj.

Por propozimi u aprovua nga kryetari i trupit gjykues, Gent Beka e ai u mbështet edhe nga avokatet mbrojtës të të akuzuarave të tjerë.

“Trupi gjykues merr aktvendim: aprovohet propozimi i mbrojtësit Besnik Berisha për nxjerrjen e ekspertizës për të konstatuar mbetjet e grimcave të barutit në rrobat e tani të ndjerit, me qëllim të përcaktimit të distancës së qitjes me armë zjarri”, ka thënë Beka.

Në këtë seancë ishte paraparë që të dëgjohet në cilësinë e dëshmitares, ekspertja e psikiatrisë, Blerina Hoxha, por ajo paraprakisht e kishte njoftuar gjykatën se në këtë orar është paracaktuar në një rast tjetër, andaj nuk mund të jetë e pranishme në seancë.
 

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 tetor 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Avni Mustafa ngarkohet se më 19 mars 2023, rreth orës 13:20 në afërsi të hotelit “Adria” në Prishtinë, për shkak të një konflikti pronësor që dyshohet të jetë fajde, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.T, duke e goditur një herë me revole në regjionin e gjoksit.