Në Prishtinë pas disa të shtënave me armë zjarri, është vrarë Agron Hajdari, ndërsa në Mitrovicë një 37-vjeçar ka mbetur i vrarë pasi është therur me thikë, derisa një person tjetër ka mbetur i plagosur. Shkaqet e këtyre rasteve ende nuk dihen, ndërsa hetimet janë duke vazhduar. Njohës të sigurisë vlerësojnë se situata është shqetësuese dhe kërkohet më shumë prani policore në terren
Brenda pak orësh gjatë natës së mërkurë, në Kosovë kanë ndodhur dy vrasje dhe një plagosje.
Pas disa të shtënave me armë zjarri ka mbetur i vrarë A.H., në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. I dyshuari është arrestuar një ditë më pas. Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka bërë të ditur për veprimet që ishin vënë në zbatim për gjetjen e të dyshuarit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në kuadër të këtyre veprimeve është mundësuar video-incizimi nga kamerat e sigurisë e cila do të shërbejë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti. Po ashtu në vend të ngjarjes ka dalë edhe njësia K9 me qëllim të gjurmimit të lëvizjeve të të dyshuarit dhe viktimës në këtë rast”, ka thënë Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Ajo nuk ka dhënë më shumë detaje lidhur me rastin, por ka thënë se viktima ka qenë i njohur për organet e rendit dhe ka të kaluar të lidhur me veprimtari kriminale.
Një tjetër vrasje ka ndodhur po mbrëmjen e së mërkurës në Mitrovicë, ku ka mbetur i vrarë një person, ndërsa është plagosur edhe vëllai i viktimës.
Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili me vendim të prokurorit kujdestar për krime të rënda është dërguar në mbajtje.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se mbrëmjen e 27 majit 2026, në ‘Lagjen e Romëve’ në Mitrovicë, ka ndodhur një vrasje e rëndë, ku si pasojë e plagëve të marra në fyt nga një armë e ftohtë – thikë, një person i gjinisë mashkullore ka humbur jetën, ndërsa është plagosur edhe vëllai i tij”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Daja i viktimës, Habib Hajdini, ka thënë se sipas asaj që i kanë thënë familjarët, viktima nuk ka pasur asnjë konflikt të mëhershëm me të dyshuarin.
“Kurrgjë, viktima edhe ai vrasësi s’kanë pasur. Se me qenë diçka, ish dëgju që janë fjalosur apo përpara kanë pasur përleshje apo diçka, dikush na kish treguar. Por sipas fjalëve të disa kojshive, kanë thanë që ai nuk ka pasur me ta kurrgjë hiç, kurrfarë përleshje nuk ka pasur”, ka thënë ai.
E njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci, ka thënë se rastet e fundit janë shqetësuese si në aspektin kriminalistik, ashtu edhe në atë të sigurisë.
“Rasti i mbrëmshëm në Mitrovicë dhe ai në Prishtinë, këto janë raste makabre në aspektin kriminalistik dhe në aspektin e sigurisë, edhe më përpara kemi pasur raste që nuk kanë qenë hiq fare më të lehta se këto raste të rënda që po i dëgjojmë. Andaj kjo është shqetësuese definitivisht edhe në aspektin kriminalistik por edhe në aspektin e sigurisë. Motivet po dihen që janë të ndryshme pak a shumë paraja po luan rol gjithashtu edhe për prona dhe për burgje të ndryshe ose aktivitete kriminale dhe kundërligjore që po zhvillohen në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, është shprehur Dashevci.
Ai ka thënë se institucionet duhet të fokusohen më shumë në parandalim.
Në Kosovë, sipas raporteve të ndryshme, vlerësohet se janë rreth 300 mijë armë ilegale nëpër duart e qytetarëve.