Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 56 muaj burgim H.S., që akuzohej për pjesëmarrje në grup terrorist.
H.S. gjendej në paraburgim që nga 1 gushti i vitit 2018. Sipas, Gjykatës, të dënuarit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
“Të akuzuarit H.S i është vazhduar paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar me burgim”, thuhet në njoftim.
H.S. akuzohet se më 23 nëntor të vitit 2015, kishte udhëtuar me bashkëshorten dhe vajzën e mitur nga Kosova për në Turqi dhe përmes lidhjeve kishte depërtuar në Siri, duke iu bashkëngjitur ISIS-it.
“I akuzuari me datë 23.11.2015, me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën e mitur kishte lëshuar territorin e Republikës së Kosovës, përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë dhe kishte udhëtuar për në qytetin e Stambollit të Republikës së Turqisë dhe përmes lidhjeve të caktuara kishte depërtuar në Siri, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS”, e cila në këto vende ka qenë duke u luftuar, është angazhuar si pjesëtarë i “ISIS-it”, si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e “ISIS-it”, është financuar nga “ISIS” me shumën e të hollave prej nga 100 Dollar Amerikan në muaj, duke bashkëpunuar edhe me epror dhe luftëtarë të “ISIS-it”, si Lavdrim Muhaxheri etj, e që më pastaj është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane, ku edhe me datë 28.05.2022 është riatdhesuar në Republikën e Kosovës”, thuhet në aktakuzën.