Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me gjashtë vjet burgim Hysri Selimin, për spiunazh. Ish-pjesëtari i ISIS-it, Selimi, siç ka konstatuar gjykata ishte pjesë e BIA-s dhe i ka dërguar këtij shërbimi serb informacione, që kanë cënuar rendin dhe sigurinë e Kosovës, që nga viti 2009
Ish-anëtari i ISIS-it, Hysri Selimi, është dënuar me gjashtë vjet burgim të hënën me akuzën për spiunazh në favor të Serbisë.
Më herët ai është dënuar edhe për pjesëmarrje në organizatën terroriste “Shteti Islamik”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjykata Themelore në Prishtinë ka konstatuar se ai i ka ndihmuar Agjencisë për Siguri e Inteligjencë të Serbisë, BIA.
“Nga muaji nëntor 2009 e në vazhdimësi, deri më datën 06.05.2025, si i rekrutuar i agjencisë së inteligjencës dhe i sigurisë së Republikës së Serbisë që njihet me emrin BIA, në vazhdimësi ka ndihmuar punën e shërbimit të tillë në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve”, ka thënë Leon Përlaska, kryetar i Trupit Gjykues.
Gjykata ka konstatuar se Selimi i ka nisur informata të llojllojshme Serbisë, nga ato për vehabistët e deri tek ato për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Trupi gjykues i kryesuar nga Leon Përlaska, ka gjetur po ashtu se i akuzuari është futur në organizatën terroriste ISIS për hesap të Serbisë.
“Në lidhje me veprimtarinë e pjesëtarëve të UÇK-së, vrasjet gjatë luftës, personat e radikalizuar dhe numrin pjesëmarrës të tyre në luftën në Siri, i cili sipas kërkesave dhe udhëzimeve të pjesëtarëve të BIA-s, të cilin paraprakisht e kishin pajisur me 3 telefona të mençur duke i premtuar edhe blerjen e një shtëpie, i pandehuri më datë 22.11.2015 kishte udhëtuar në Siri përmes aeroportit të Stambollit me mision të caktuar nga BIA, fillimisht duke iu bashkuar organizatës terroriste ISIS, pastaj dërgimin e informacioneve te zyrtarët e BIA-s në lidhje me numrin e pjesëmarrësve shqiptarë në organizatën terroriste ISIS, organizimin e tyre dhe në cilat pjesë operonin ata”, ka thënë Përlaska.
Përlaska pas shpalljes së aktgjykimit është shprehur se trupi gjykues është bindur nga provat e prokurorisë, posaçërisht nga provat materiale si raportet mbi ekzaminimin e telefonave, raportet mbi zbatimin e masave të veçanta dhe nga fakti që pretendimi i të pandehurit se i ka shërbyer AKI-së nuk është vërtetuar me asnjë provë.
Prokuroria Speciale ndërkohë e ka mirëpritur aktgjykim dënues.
Në një komunikatë për media, PSRK-ja e ka përgëzuar atë si vendim që “përfaqëson një hap të rëndësishëm në zbatimin e sundimit të ligjit dhe në mbrojtjen e sigurisë kombëtare”.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në ndjekjen e rasteve që cenojnë rendin kushtetues dhe interesat e Republikës së Kosovës, duke vepruar në përputhje me ligjin dhe standardet më të larta profesionale”, thuhet në komunikatë.
Vetë Selimi nuk ishte në seancën ku është shpallur aktgjykimi, derisa në atë fillestare më 23 shtator 2025 është deklaruar i pafajshëm.
E në përfundim të gjykimit për këtë rast, më 11 qershor, i akuzuari Selimi, ka thënë se i është bashkuar BIA-s serbe me rekomandim të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, me idenë që t’i ndihmojë Kosovës.
Kjo nuk është vërtetuar nga gjykata.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë të ngritur më 9 shtator 2025, shkruan “Betimi për Drejtësi”, Hysri Selimi ngarkohej se nga muaji nëntor 2009 e deri në arrestimin e tij më 6 maj 2025, si i rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), në vazhdimësi ka ndihmuar punën e këtij shërbimi në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informatave që kanë të bëjnë me veprimtarinë e pjesëtarëve të UÇK-së, vrasjet gjatë luftës, personat e radikalizuar dhe numrin e pjesëmarrjes së tyre në luftën në Siri.
Aktakuza thotë se i pandehuri, sipas kërkesave dhe udhëzimeve të zyrtarëve të BIA-s (të cilin paraprakisht e kanë pajisur me telefona të mençur dhe me mjete financiare, duke i premtuar edhe blerjen e një shtëpie) më 22 nëntor 2015 ka udhëtuar në Siri, përmes aeroportit të Stambollit, me mision të caktuar nga BIA.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Selimi fillimisht iu bashkua organizatës terroriste ISIS, pastaj dërgoi informacione te zyrtarët e BIA-s në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në ISIS, organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata.
Po sipas organit të ndjekjes, pas kthimit në Kosovë nga Siria dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, Selimi ka vazhduar të takohej me zyrtarë të BIA-s, më konkretisht me drejtorin për luftimin e terrorizmit në kuadër të BIA-s dhe një zyrtar tjetër në Serbi, si në Vranje, Nish e Bujanoc, të cilët i informonte në bazë të detyrave që ia kishin caktuar paraprakisht, e që kishin të bënin me informacionet lidhur me persona të radikalizuar dhe zhvillimin e rrymave vehabiste në Kosovë, ndikimin e tyre, numrin dhe funksionimin e “Mesxhide-ve” (hapësira fetare ku kryhen ritet fetare), si dhe informata tjera të rëndësishme.
Në aktakuzë thuhet se si shpërblim për këto informacione, zyrtarët e BIA-s e paguanin Selimin deri në 700 euro në muaj, duke i ofruar edhe telefona të mençur për të komunikuar me zyrtarët e BIA-s.
Përmes këtyre veprime, sipas Prokurorisë, Selimi seriozisht ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke ndihmuar po ashtu BIA-n serbe të krijojë një narrativë të dëmshme për shtetësinë e Kosovës.