Policia e Kosovës ende nuk e ka identifikuar personin që vdiq të hënën në një pompë derivatesh në Ferizaj, vetura e të cilit u përfshi nga flakët. Sipas njoftimit, vetura e udhëtarëve posa ka hyrë në pikën e karburantit ,është përfshirë nga flaka në pjesën e mesme, në rrethana ende të pasqaruara.
Pos viktimës, në këtë incident i lënduar ka mbetur edhe një 21-vjeçare me inicialet A.I., që është dërguar për trajtim mjekësor. Ajo po punonte në marketin e kësaj pike karburanti.
“Me vendim të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj i cili ishte në vendin e ngjarjes, rasti është cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe trupi i pajetë ( i karbonizuar) është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për identifikim, ndërsa automjeti është tërhequr nga policia për ekzaminim. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Njësia e Deminimit të Policisë së Kosovës dhe Eksperti i Zjarreve. Policia Rajonale e Ferizajt, në bashkëpunim edhe me njësitet tjera për hetim, që kur ka ndodhur ngjarja është duke punuar në vazhdimësi në grumbullimin e informacioneve, intervistimin e personave për të zbardhur rastin”, thuhet në njoftimin policor.
Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Ferizaj thotë se po kryhen hetimet intensive deri në zbardhjen e plotë të rastit.
-
Vdes një person në Ferizaj pasi vetura mori flakë në një pompë derivatesh
-
Një i vdekur nga shpërthimi në një pompë derivatesh në Pejë
-
Grabitet një pompë e derivateve në Ferizaj
-
Digjet Viva Freshi në Ferizaj, rrezikohen edhe objektet përreth
-
Dërgohet pa shenja jetë një person në emergjencën e Ferizajt