Dy persona janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës në komunën e Gjilanit, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit, njëri prej të arrestuarve dyshohet se për gati dy vjet s’ka dalë fare në punë, por ka marrë pagë mujore që në shumë totale ishte rreth 19 mijë euro.
Sipas veprimeve të ndërmarra dhe provave të siguruara dyshohet se i dyshuari mashkull kosovar i caktuar si bibliotekist në një shkollë, me kontratë pune për kohë të pacaktuar, për një periudhë kohore nuk është paraqitur në vendin e punës, në ndërkohë që ka përfituar paga mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës. Në periudhën kohore prej vitit 2023 e deri në Tetor të vitit 2025, i dyshuari i lartcekur ka dëmtuar buxhetin në vlerë prej 19,067.69 euro, me ç ‘rast ka shkaktuar veprën penale të “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” i KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkaq i dyshuari tjetër ka qenë zyrtar i cili nuk e ka raportuar mungesën e të dyshuarit në punë. Edhe ai dyshohet për keqpërdorim të detyrës.
Të dy të dyshuarit e lartcekur janë intervistuar në prezencën e avokatëve dhe me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.