Kronikë

Dërgohet në paraburgim ish-drejtori i Policisë në Prizren

paraburgim

Foto: Ilustrim

Nga një muaj paraburgim ia ka caktuar Gjykata Themelore në Prizren, ish-drejtorit të Policisë në këtë rajon, Nexhmi Krasniqi, dhe tre personave të tjerë, nën dyshimin se kanë detyruar një qytetar ta shiste përgjysmë më lirë pronën me vlerë rreth gjysmë milioni euro.

Bazuar në kërkesën e Prokurorisë për këtë masë, prona për të cilën u arrestuan vlen gjysmë milioni euro, ndërkaq u detyrua ta shiste për 250 mijë euro.

“I dëmtuari nga frika dhe presioni, dhe me miratimin e dëshmitarit E. E., si pronar i pjesës të kësaj ngastre, vendosin të tërhiqen në dobi të R.P., i cili më pas e blen këtë parcelë nën çmimin e tregut për 250.000 euro, e cila pronë realisht kishte vlerën prej 400.000 eurosh deri në 500.0000 euro”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas prokurorisë, gjatë një takimi të pandehurit i bënë presion të dëmtuarit që të heqë dorë nga pjesa e tij në ngastrën nr. 749, në dobi të Ramadan Paçarizit. Aty theksohet se tre nga të arrestuarit përfituan nga 10 mijë euro.

“I dëmtuari së bashku me të pandehurin L.S. shkojnë në shtëpinë e të pandehurit N.K., ku i dëmtuari hyn në shtëpi dhe nga të hollat e marra prej R.P. ia jep të pandehurit N.K. shumën prej 10.000 eurosh të vendosura në zarf dhe me të dalë nga aty 20.000 euro të tjera ia jep L.S., në emër të tij dhe për vëllain e tij Xh.S.”, thuhet në dosjen e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Para të gatshme brenda një zarfi janë gjetur në shtëpinë e Krasniqit në ditën kur u bë edhe bastisja nga hetuesit policorë.

Ai dhe tre të dyshuarit e tjerë u arrestuan dy ditë më parë e të mërkurën dolën para Gjykatës në Prizren, ku është shqyrtuar kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë.

Në kërkesën për paraburgim është thënë se ekziston rreziku që të bëhet presion mbi dëshmitarë, të prishen provat e edhe të përsëriten veprat penale nga të dyshuarit, nëse ata lihen të mbrohen në liri.